The Guardian: Në Shqipëri, mikpritje të pakufishme

Prestigjiozja britanike fton turistët ta vizitojnë

Edhe një herë Shqipëria është në vëmendje të prestigjiozes britanike “The Guardian”, por kësaj radhe në lupën rrëfimtare dhe emocionale të një shkrimtari.

Jacob Mikanowski pas vizitës në 17 vende të Europës, vendosi të shkelë në tokën shqiptare me disa mëdyshje që u fashitën po aq shpejt sa lindën, kur preku Shqipërinë.

“Pika ime e hyrjes ishte një nga pikat kufitare më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë, një shtrirje e egër bregdetare përgjatë Liqenit të Ohrit ku Shqipëria takohet me Maqedoninë e Veriut. Një udhëtim i shpejtë me taksi ishte i mjaftueshëm për të larguar çdo ankth të vazhdueshëm”. Prej këtu nis udhëtimi i gjatë i Mikanowskit, i cili do të rikthehej sërish.

Së pari viziton Tiranën, për t’u ndalur në muze e godina që i rrëfejnë periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar kryeqyteti. Radhën më pas e kishte Thethi me magjinë e Alpeve teksa ndalet në detaje deri tek ushqimi.

Vendos të kthehet në jug, të cilin e quan më me ndikim mesdhetar se veriun. Viziton Beratin unik, veçon muzikën e jugut, ndalet në Qeparonë e detit dhe ullinjve dhe Gjirokastrën e shkrimtarit Ismail Kadare.

Por ndjesinë e këtij udhëtimi të gjatë të mbushur me surpriza e kulturë, e përmbledh në një titull të bukur, ‘Muzika më përloti’: Rashë në dashuri më Shqipërinë”.

Ndaj këtij publikimi reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, që zgjodhi të citojë përjetimet e autorit, duke e mbyllur me këto rreshta.

Erdhi me mëdyshje, por u largua nga Shqipëria siç shprehet “mirënjohës që vizitova këtë vend kyç të historisë, mikpritjes së pakufishme dhe surprizave të pafundme”.

Tv Klan




Lexo gjithashtu
Total
0
Share