Tetovë: Protestë për rastin me spitalin modular, qytetarët të mllefosur për heshtjen e institucioneve

Dokumentari i IRL-së nxori tetovarët në rrugë. Materiali i rrjetit investigues qartë detekoi fajin dhe lëshimet e qëllimshme të prokurorisë që çuan deri tek shfajësimi i kompanisë ndërtuese dhe disa funksionarëve, e që në fund rezultoi me vdekjen e 14 personave, njofton KlanM.
Fillimisht fjalim mbajti organizatorja e protestës, Elmedina Abdullau.

”Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Jovevski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigje penalisht. Kërkojmë të gjykohen dhe të dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjit tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako” – tha Elmedina Abdullau.

E më pas, sic njofton KlanM, u vendosën edhe mbishkrimet në godinën e Prokurorisë dhe Gjykatës.

Qytetarët nuk ishin mbledhur në numër të madh por ata që kishin dalë e dinin saktë pse ishin aty.

”Lexoni vetëm ato shkrimet që i keni bërë, pankarta apo parulla. Ky shtet definitivisht nuk funksionon. Jo prej sot, prej moti. Fëmijët e mi shkuan në Gjermani për shkak funksionimit të këtij shteti, dy djem kam pas, me krejt familjen do të shkojmë në Gjermani se këtu jetë nuk ka derisa në bërthamën e saj ky shtet nuk ndërtohet, mbi ndërtohet, me gjyqësinë.

Bazamenti kryesor për të funksionuar një shtet është drejtësia, nëse gjyqësia nuk ndryshon ky shtet nuk mund të ekzistojë.

Lexoni atje, lexoni. 14 njerëz, askush mos të përgjigjet.

Përveç protestës së sotshme, sic njofton KlanM, po paralajmërohen edhe protesta tjera. E derisa rrjetet sociale dhe i gjithë shteti po e komenton dokumentarin e Rrjetit investigues, politika dhe drejtësia po heshtin. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share