QMK: KUJDES – TË SHMANGEN LËVIZJET PËRRETH VENDIT TË AKSIDENTIT
Në fshatin Neproshten të Tetovës, mbrëmë një automjet ka goditur një ari të vogël. Ai kishte qenë duke lëvizuar bashkë me tre arinj të tjerë në këtë rrugë, njofton KlanM.
Për rastin në fjalë ishte alarmuar edhe Qendra për Menaxhim me Kriza, ku kanë njoftuar se në automjetin e aksidentuar kanë qenë babai, nëna dhe tre fëmijë të vegjël, që nuk kanë pasur pasoja serioze por vetëm dy fëmijë kanë marrë lëndime të lehta.
“Për shkak se bëhet fjalë për mjedis urban me shtëpi dhe lëvizje të automjeteve u bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të garantojnë sigurinë e qytetarëve, kurse OJQ-të e rajonit të kyçen duke propozuar masa për të ndihmuar ariun e lënduar dhe tre arinjtë tjerë” – thonë nga QMK.
QMK-ja, siç njofton KlanM, bën thirrje për kujdes dhe të shmangen lëvizjet në vendin e aksidentit dhe përreth, për shkak se, sic thonë, pritet që nëna ta kërkojë ariun e vogël.
Nuk është hera e parë vqë në rrugën magjistrale Tetovë – Jazhincë, automjetet të godasin arinjtë që lëvizin nëpër rrugë. Në korrik dhe tetor të këtij viti, sic njofton KlanM, afër fshatit Dobrosht ishin shkelur disa arinj ku dy vetura ishin dëmtuar kurse dy vozitës kishin marrë lëndime. /KlanMacedonia/