Shenjat e plumbave në shtëpitë, dëshmi e ngjarjeve tronditëse
“Ende i kemi para syve, ende e kemi trishtimin dhe nuk harrohet”
Zejnullahu edhe sot pas 8 vitesh kujton ditën e 9 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë. E në shtëpinë e tij ende janë shenjat e plumbave të asaj ditë, njofton KlanM.
”Unë erdha që të marr dokumentet, dhe me ndaluan policia dhe me mbështetën në mure dhe kanë qenë duke me vra. 2:28 erdhi djali të me kërkoje se jam vonuar edhe atë e morën dhe e mbështetën në mure, gjysmë orë derisa u deshtë të hyj në shtëpi dhe të dëshmoj se kjo është shtëpia ime” – tha Zejnullah Berisha, qytetar i Kumanovës.
E përveç Zejnullahut edhe qytetarët tjerë rikujtojnë atë ditë.
“Ajo ditë shumë e keqe, unë isha në shtëpi por zhurma dëgjohej, aeroplani dëgjohej dhe gjuante.
“Ajo ditë katastrofë, me 13 anëtarë isha brenda, tre shtëpi janë djegur, si me e kujtuar atë ditë ajo nuk harrohet kurrë, inshallah kurrë më, as dushmanit mos ia pruftë atë, me 13 anëtarë të jesh në shtëpi dhe ora 6:00 në mbrëmje dhe me të dërguar në polici ajo është katastrofë.
Ngjarjet e 9 Majit të vitit 2015 në Kumanovë, ku humbën jetën 8 pjesëtarë të policisë, sic percjell KlanM, ndodhën në periudhën e krizës serioze politike në Maqedoni, kur edhe nisën protestat antiqeveritare, kurse disa opozitarë të atëhershëm paralajmëruan se po përgatitet një incident i këtillë që të tërhiqet vëmendja nga situata aktuale politike.
Kjo ngjarje mori edhe epilog gjyqësor. Nga 37 të akuzuarit, siç njofton KlanM, 33 ishin dënuar për veprën “cënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” me gjithsejt 746 vite burg, kurse katër persona ishin liruar. Për shtatë persona u shqiptua dënimi me burg të përjetshëm.
Përgatiti: Avni Tahiri