Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka uruar besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë në prag të nisjes së Muajit të Ramazanit, teksa ka bërë thirrje për paqe në botë.
Besimtarët myslimanë në mbarë botën më 23 mars nisin shënimin e Muajit të Ramazanit.
Myftiu Tërnava tha se agjërimi e afron besimtarin me krijuesin, e largon nga “egoja, urrejtja e smira” dhe e “motivon për punë e vepra të mira”.
“Në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimit të këtij muaji të madh, lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet dhe popujt të jetojnë të qetë dhe në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet ashtu siç na ka udhëzuar krijuesi i gjithësisë”, tha Tërnava.
Myftiu i Kosovës tha se përmes agjërimit gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët shfaqin bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj Zotit.
Muaji i Ramazanit nis më 23 mars dhe do të zgjasë për 30 ditë, deri më 20 prill.
Gjatë kësaj periudhe, besimtarët myslimanë përmbahen ngrënia dhe pirja që nga lindja e Diellit deri në perëndim, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Pas përfundimit të Ramazanit, besimtarët në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një prej dy festave më të mëdha të besimit islam. /REL