Talebanët: Më shumë se 9 mijë janë të plagosur
Më shumë se 2 mijë njerëz u vranë në një tërmet të fuqishëm me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter që goditi Afganistanin. Më shumë se 9 mijë të tjerë janë të plagosur, thanë autoritetet talebane.
Epiqendra e tërmetit, i pasuar edhe nga disa të tjerë me magnitudë më të ulët, ishte në afërsi të qytetit të Heratit. Një zëdhënës i qeverisë tha se nga lëkundja janë dëmtuar ose shkatërruar mbi 1300 shtëpi.
10 ekipe shpëtimi janë duke punuar në zonë për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat. Një situatë e rëndë raportohet edhe në spitalet e zonës për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe stafit.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për ndihma në ushqime, ujë të pijshëm, ilaçe, rroba dhe çadra. Dëmtime pësuan edhe xhamitë mesjetare të Heratit. Diplomatë dhe zyrtarë perëndimorë thanë se është e vështirë të shkojnë ndihma për njerëzit e prekur për shkak të kufizimeve që janë vënë për qeverinë talebane.
Ky tërmet konsiderohet ndër më vdekjeprurësit në botë të këtij viti pas lëkundjeve në Turqi dhe Siri që vranë rreth 50 000 në Shkurt.
Tv Klan