Italia është goditur nga një tërmet me magnitudë 5,7 me epiqendër Riminin mëngjesin e sotëm, i cili tronditi disa qytete duke përfshirë edhe Romën. Lëkundje masive si pasojë e tërmetit janë ndjerë edhe në vende të tjera, duke përfshirë Kroacinë dhe San Marinon, megjithëse shkallla e dëmeve nuk dihet sa është aktualisht.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), tërmeti ishte në një thellësi prej rreth 10 km, rreth 64 km në lindje të Riminit. Tërmeti u pasua nga 2 lëkundje më të vogla me magnitudë 3,1 dhe 3,4 rreth orës 7 të mëngjesit.
Pas tërmetit, qytetarët në Itali kanë dalë në rrugë të tronditur, ndërsa shërbimet e urgjencës kanë thënë se në disa ndërtesa janë shfaqur të çara. Lëkundjet thuhet se janë ndjerë në të gjithë Italinë veriore, duke përfshirë Bolonjan dhe Romagnan, si dhe Riminin dhe Romën. Mediat italinë raportojnë se deri më tani nuk është raportuar asnjë humbje jete si pasojë e tërmetit.
Ky është tërmeti i dytë që godet Italinë në një javë, pas një lëkundjeje me magnitudë 5.1 në Kalabri, në jug të Italisë më 1 Nëntor./tvklan.al