Të paktën 128 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar në Nepal pasi vendi u godit nga një tërmet i fuqishëm të premten.
Epiqendra e lëkundjeve të tokës ishte në zonat perëndimore të vendit, Jajarkot. Si pasojë, shtëpi dhe ndërtesa të ndryshme u shembën. Dridhjet e tokës u ndjenë deri në New Delhi të Indisë.
Tërmeti kishte një magnitudë 6.4 sipas Qendrës Kombëtare të Sizmologjisë. Megjithatë Reuters shkruan se sipas Qendrën Kërkimore gjermane për Gjeoshkencë tërmeti ishte i magnitudës 5.7, ndërsa Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se ishte 5.6.
Ky është tërmeti më i rëndë pas vitit 2015 kur rreth 9 mijë persona humbën jetën si pasojë e dy tërmeteve.
Qytetet të tëra, tempulle qindra vjeçare, vende historike u kthyen në rrënoja asokohe. Rreth 1 milion shtëpi u shkatërruan teksa çdo gjë i kushtoi ekonomisë së vendit 6 miliard dollarë.
Autoritetet i frikësohen faktit se numri i viktimave nga tërmeti i së premtes mund të rritet. Ata nuk kanë qenë në gjendje të vendosin kontakt me zonat malore pranë epiqendrës. Zona njihet si rurale dhe ka një popullsi prej 190 mijë personash./tvklan.al