Tërhiqet 50% e policisë nga veriu i Kosovës

Kurti e vlerëson situatën më të qetë

Objekti i komunës së Zveçanit vazhdon të jetë i rrethuar me gjemba, ndërsa pjesëtarë të KFOR-it ndonëse në numër më të vogël po kujdesen për sigurinë. Prania e policisë rreth dhe brenda objekteve në tri nga katër komunat veriore është reduktuar në 50%.

“Tani jemi tek 50% i numrit totalit të policëve, të cilët gjenden në komuna apo rreth komunave.”

25% janë tërhequr gjatë së premtes pas vlerësimit të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në takimin e zhvilluar të mërkurën. Një numër i vogël i qytetarëve edhe pas më shumë se dy muajsh vazhdojnë të protestojnë para objekteve komunale.

Protestuesit në tri nga katër komunat e veriut zakonisht qëndrojnë para objekteve komunale deri në mesditë për t’u shpërndarë pastaj të qetë.

Organet e sigurisë do të takohen kohë pas kohe për të bërë vlerësimin e situatës në terren.

“Do të vlerësohet situata e sigurisë dhe në bazë të situatës së sigurisë do të vendoset.”

Ka reaguar kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se ky vendim është marrë pasi situata në veri është e qetë.

“Zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ripërshkallëzim potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.”

Më 10 Korrik, zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak ishin pajtuar për zbatimin e një plani katërpikësh për deeskalimin e situatës në veri.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share