Tensionet në veri, sulmohet me armë zjarri policia e Kosovës

Vijojnë tensionet në veri të Kosovës. Policia atje thotë se grupe kriminale qëlluan me armë zjarri në drejtim të efektivëve të cilët ndodheshin në detyrë në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë. Në vetëmbrojtje, autoritetet në Kosovë thonë se u kundërpërgjigjen po me armë zjarri. Sipas njoftimit të vetë policisë së Kosovës, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në disa pjesë të veriut.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut.

Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri.

Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share