Tenis: Serena Williams shumë pranë rikthimit në fushë

Tenistja amerikane Serena Williams ka konfirmuar për mediat se nuk është tërhequr nga sporti dhe se shanset që ajo të rikthehet të luajë janë të mëdha. Ajo nuk luan që prej eliminimit nga grand slam i US Open, ku dhe mbajti një fjalim mallëngjyes në fushë, mes lotësh dhe duartrokitjesh.

“Nuk jam tërhequr”, tha tenistja 41-vjeçare nga San Francisco , në një event ku promovonte kompaninë e saj “Serena Ventures”. “Shanset që unë të rikthehem të luaj janë shumë të larta. Nëse vini në shtëpinë time do të shihni që kam një fushë tenisi, ku stërvitem çdo ditë”, tha Serena Williams, fituese e 23 grand slam në karrierë.

“Ende nuk kam menduar seriozisht rreth tërheqjes time. Para pak ditësh u zgjova në mëngjes, dola në fushën e lojës dhe mendova se për herë të parë në jeten time nuk po luaj në një kompeticion. U ndjeva e çuditshme. Ishte si dita e parë e pjesës tjetër të jetës time dhe po e shijoj, por ende po përpiqem të gjej atë ekuilibër”, i shpreh motra e vogël Williams.

“Nuk e kam përmenduar kurrë fjalën tërheqje, pasi nuk më ka pëlqyer fjala pension. Nuk duket si një fjalë moderne. E konsideroj këtë fazë si një tranzicion, por dua të jem e kujdeshme për mënyrën se si e përdor atë fjalë, pasi është shumë specifike dhe e rëndësishme për një komunitet njerëzish. Mund të them se po bëhet një evoluim brenda meje, po shkoj gradualisht drejt gjërave të reja, duke iu larguar tenisit”, tha Serena Williams.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share