Shkaku kryesor mbeten të ardhurat dhe kostoja e lartë e rritjes së një fëmije
Të ardhurat janë shqetësimi kryesor për të rinjtë në Mbretërinë e Bashkuar që i pengon ata për të krijuar familje. 59 për qind e të anketuarve, sipas një sondazhi të ri përmendën shqetësimet financiare si arsyen numër 1 pse ata po mendojnë të shtyjnë këtë vendim.
Sondazhi i realizuar nga një kompani në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se pengesa më e madhe për të qenë prindër ishte rritja e kostos së jetesës, e cituar nga 29 për qind e të anketuarve. Ndër arsyet e tjera janë ato të kostos së kujdesit për fëmijët, gjetja e partnerit të duhur dhe pamundësia për të patur një shtëpi.
Sondazhi, i kryer midis 2,000 personave të moshës 18-35 vjeç, zbuloi gjithashtu se dy të tretat e të anketuarve do të konsideronin ngrirjen e vezëve, një praktikë mjekësore për ruajtjen e fertilitetit të një gruaje që është e kushtueshme. Plakja e popullsisë, por edhe rënia e lindjeve në të gjithë Evropën tashmë po vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Vendet evropiane kanë dalë me strategji të ndryshme për të inkurajuar gratë që të kenë më shumë fëmijë. Një nga më të zakonshmet është t’u jepet familjeve një “bonus për fëmijë” – një shpërblim në para për çdo fëmijë që ata kanë.
Klan News