Të paktën 30 të vdekur nga tërmetet në Japoni

Ekipet e shpëtimit nxitojnë për të arritur tek të mbijetuarit

Në Japoni, numri i viktimave pas tërmeteve shkatërruese në ditën e Vitit të Ri, u ngjit në të paktën 30 vetë, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë luftën me kohën për të arritur në zonat e izoluara ku ndërtesat janë rrëzuar, rrugët shkatërruar dhe energjia elektrike e ndërprerë në dhjetëra mijëra shtëpi.

Tërmeti më i fortë me magnitudë paraprake prej 7.6 goditi pasditen e së hënës, duke i detyruar banorët në disa zona bregdetare të largohen në vende me lartësi pasi valët e cunamit goditën bregun perëndimor të Japonisë.

Mijëra vetë personel ushtrie, zjarrfikës dhe policë nga i gjithë vendi janë dërguar në zonën më të goditur në gadishullin Noto në prefekturën Ishikawa.

“Kërkimi dhe shpëtimi i të prekurve nga tërmeti është një betejë kundër kohës”, tha Kryeministri Fumio Kishida gjatë një takimi urgjent të martën.

Kishida tha se ekipet e shpëtimit ë kanë shumë të vështirë të arrijnë majën veriore të gadishullit Noto për shkak të rrugëve të shkatërruara, ndërsa ekipet e dërguara me helikopterë zbuluan shumë zjarre dhe dëmtime në ndërtesa dhe infrastrukturë.

Shumë shërbime hekurudhore dhe fluturime në zonë janë pezulluar. Aeroporti Noto u mbyll për shkak të dëmtimit të pistës, terminalit dhe rrugëve hyrëse, 500 vetë mbetën të bllokuar pas tërmetit brenda automjeteve në parkingun e tij, njoftoi transmetuesi publik NHK.

Në Suzu, një qytet bregdetar me pak më shumë se 5,000 familje pranë epiqendrës së tërmetit, mund të ketë deri në 1,000 shtëpi të shkatërruara.

Në të gjithë prefekturën Ishikawa, autoritetet kanë konfirmuar 30 vdekje deri më tani.

Zjarrfikësit janë duke luftuar me flakët në disa qytete dhe janë përpjekur të çlirojnë shumë njerëz të bllokuar në ndërtesat e shembura, tha agjencia japoneze e menaxhimit të zjarrit dhe fatkeqësive.

Më shumë se 140 lëkundje janë regjistruar që nga tërmeti i parë që goditi rajonin të hënën, sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, e cila paralajmëroi se më shumë goditje të forta mund të godasin në ditët në vijim.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share