Vera më e nxehtë e regjistruar në pjesën më të madhe të Ballkanit ka ndryshuar rrënjësisht vjeljen e rrushit në rajon këtë vit.
Prodhuesit thonë se disa të korra do të jenë më të pakta në sasi, por cilësia do të jetë më e mirë. Në rajonin lindor Ilok të Kroacisë, prodhuesit e verës kanë filluar të mbledhin natën sepse rrushi fillon të fermentohet shumë shpejt kur mblidhet në vapën e ditës.
DARKO SILI-PRODHUES
“Më mirë është të punosh natën sepse nuk është shumë vapë, gjatë ditës temperaturat shkojnë mbi 40 , prandaj natën është më mirë të punoj.”
Pranë qytetit të Backi Petrovac në veri të Serbisë , fermeri Rastislav Pucovski kontrollon të korrat e tij.Ai thotë se të korrat e mistrit këtë vit kanë rënë për shkak të mungesës së shirave.
RASTISLAV PUCOVSKI -FERMER
“Është koha e korrjes, një muaj përpara afatit. Vjelja e misrit ka filluar dhe gjendja mund të përshkruhet si katastrofike. Që nga 6 qershori,nuk ka pasur shi dhe temperaturat kanë shkuar rritur në gati 40 gradë Celsius. Të korrat e misrit janë ulur përafërsisht me 30%.”
Edhe në Bosnjën fqinje, kushtet atmosferike mund të përgjysmojnë rendimentin e misrit në 4,5-5 ton për hektar.
Por teksa temperaturat e larta kanë dëmtuar prodhimet në Bosnjë-Hercegovinë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rastin e Kosovës.
Në Kosovë, disa prodhues të verës filluan korrjen në gusht, pra një muaj më herët krahasuar me vitin e kaluar.
HASAN KEQA-PUNETOR
“Nuk më kujtohet që kemi filluar ndonjëherë të mbledhim rrush kaq herët. Më parë, do të fillonim midis 3 dhe 5 shtatorit. Këtë vit filluam më 15 gusht. Por tani është në rregull, rrushi është shumë i mirë.”
Pronarët e shumë kantinave të verës në qytetin e Rahovecit u detyruan të gjenin më shpejt punëtorë .Megjithatë, ata thonë se cilësia e prodhimeve të tyre do të jetë shumë e mirë.
NEBI DURAJ-MENAXHER I NJE KANTINE VERE
“Rendimenti këtë vit do të thyejë të gjitha rekordet si në sasi ashtu edhe në cilësi. Kushtet e motit ishin të mira. Vreshtat preferojnë motin e thatë dhe të nxehtë më shumë se sa shumë ujë. Megjithatë, jo thatësinë e tepërt.”
Këtë vit eksperët thonë se do të jetë një vit rekord si për cilësinë ashtu edhe për sasinë e vjeljes.
FEJZULLAH BERISHA-EKSPERT
“Kemi pasur një rrush të cilësisë së lartë këtë vit. Përmbajtja e sheqerit që kemi matur tejkalon 24%. Është e rrallë të kemi këtë përqindje sheqeri. Të gjitha varietetet e rrushit kanë më shumë se 22, 23 ose 24% sheqer.”