Të kërkuar nga drejtësia shqiptare, kapen 3 persona në Francë, Gjeorgji e Gjermani

Ashtu siç njoftoi më herët ministri i Brendshëm Taulant Balla, në pranga janë vënë nga autoritetet e huaja 3 persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se 40 vjeçari nga Durrësi Alban Skonja është kapur në Francë pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje, prodhim armësh, sigurim i mjeteve për të kryer vrasje dhe si pjesë e një grupi kriminal.

Së dyti, në Gjeorgji është prangosur një shtetas turk i quajtur Yalcin Hanci i cili do të ekstradohet në vendin tonë. Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e qenieve njerëzore drejt Europës, kundrejt parave.

Së fundmi, është arrestuar në Gjermani Kridens Mecollari. Ky i fundit është dënuar me 5 vite burg për një sherr me armë ku për pasojë ka plagosur një person.

Njoftimi i plotë i policisë:

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, finalizohen 3 operacione për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Policia e Shtetit me anë të inteligjencës informative, ka siguruar informacione për vendndodhjen e disa shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i ka shkëmbyer ato me partnerët, me qëllim lokalizimin e këtyre shtetasve.

Në këtë kuadër janë finalizuar 3 operacione, si rezultat i të cilave janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 3 shtetas në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:

-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sete”, Policia franceze ka kapur në Francë dhe ka arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin A. S., 40 vjeç, banues në Durrës. Per këtë shtetas, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi A. S. akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin I. F. dhe shtetas të tjerë, kanë planifikuar vrasjen e shtetasve G. H. dhe A. H., duke siguruar automjete, armë zjarri dhe apartamente me qira, por nuk kanë mundur ta realizojnë vrasjen e tyre.

Gjithashtu, shtetasi A. S. dyshohet se më datë 02.07.2023, në rajonin e Balarus, Francë, është përfshirë në një rast të marrjes së një shume parash (40 000 euro), nëpërmjet kërcënimit me armë, në kuadër të bandës së organizuar. Për këtë ngjarje, Njësia për Krimet Shëtitëse Anti Skifter në Shqipëri dhe Zyra Kombëtare për Krimet Shëtitëse Anti Skifter në Francë kanë shkëmbyer informacion, pasi dyshohej se një ndër autorët e përfshirë ishte shtetas shqiptar.

-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Batumi”, Policia gjeorgjeze ka kapur në Gjeorgji dhe ka arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin shtetasi turk Y. H., 49 vjeç. Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e qenieve njerëzore drejt Europës, kundrejt parave.

-Në kuadër të operacionit policor të koduar “International”, Policia gjermane ka kapur në Gjermani dhe ka arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin Kridens Mecollari. Ky shtetas është dënuar nga autoritetet gjyqësore në Shqipëri, me 5 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 6 muaj e 25 ditë), pasi më datë 06.11.2021, pas një konflikti të çastit, në një lokal, ka plagosur me armë zjarri shtetasin I. Sh. Gjithashtu, ky shtetas, është shpallur në kërkim nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për pastrim të parave të përfituara nga këto veprimtari. Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e këtyre 3 shtetasve, në Shqipëri./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share