Taravari: Shteti kapituloi përballë krimit dhe korrupsionit

“Sistemi i drejtësisë tanimë është në agoni dhe shteti ka kapituluar para krimit dhe korrupsionit”, ka vlerësuar në një dalje para mediave, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. SIpas tij, rikthimi nga fillimi i lëndës së Mijallkovit tregon se në vend, nuk ka siguri ligjore dhe as drejtësi të pavarur. Gjyqësori sipas Taravarit, është kriminalizuar dhe i kapur nga partitë në pushtet.
“Institucionet me në krye Presidentin e vendit kanë dezertuar nga lufta kundër korrupsionit dhe thonë publikisht se nuk kemi kapacitet për veting. E vetmja shpresë ështe që ShBA-të të nisin një shok terapi, duke filluar me futjen në listën e zezë amerikane për të larguar nga skena aktorët e korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë. Pra, përveç politikanëve te korruptuar, duhet pastruar edhe sistemin e drejtësisë së kalbur nga murtaja e korrupsionit. Përveç kësaj, urgjentisht nevojitet reformë e tërësishme e sistemit të drejtësisë. Këtu hyn ligji për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimi i gjykatave speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (duke integruar shkallën e parë dhe të dytë në një ombrellë institucionale), krijimi i këshillit të emërimeve në drejtësi dhe të inspektoratit të lartë të drejtësisë, përgjegjës. Në këto institucione duhet medoemos të ketë edhe komisionerë ndërkombëtarë”, deklaroi Taravari.
Kreu i ASH-së theksoi se qytetarët i kanë shpresat tek Ambasada e SHBA-së, ndërsa i bëri thirrje ambasadores Aggeler, që të të ketë besim tek partia që ai drejton, si partner i dedikuar, sipas tij, për kauzën nga e cila varet e ardhmja e shtetit./KlanMacedonia
Lexo gjithashtu
Total
0
Share