Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari përmes rrjetit social facebook ka reaguar për zhvillimet e fundit në festën e 28 Nëntorit ku u dogj dhe u hodh si leckë flamuri shqiptar dhe ai i shtetit.
“Si Kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë, shpreh shqetësimin e thellë për aktet e shëmtuara të ditëve të fundit, ku flamuri shqiptar dhe ai maqedonas u përdhosën nga grupe huliganësh dhe një zyrtar policor”, thekson në reagimin e tij Taravari.
“Duhet të jemi të matur dhe mos biem pre e skenareve që bëjnë ata që i pret Drejtësia!
Arrestimi i të rinjve të keqpërdorur që dogjën flamujt nuk mjafton. Edhe polici që ka kontribuar në rritjen e tensioneve dhe ka shpërfaqur gjuhë urrejtjeje ndaj popullit shqiptar duhet të përballet me drejtësinë. Veprimet e tij si nxitës i tensioneve duhet të trajtohen bazuar në ligj dhe pa tolerancë.
Sa për festën, shqiptarët prej kohësh nuk kishin festuar aq gjatë, aq mirë dhe aq masivisht, saqë kjo trazoi edhe ata që synojnë destabilizimin. Flamuri Shqiptar nuk është valvitur kurrë si pushtues ndaj ai festohet me kaq Dashuri nga ne!”, mbyll reagimin e tij Taravari.