Taravari: Për ne miqësia me SHBA-të është e shenjtë, do të punojmë pareshtur me ta për një Maqedoni të integruar në BE dhe larg ndikimit rus

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot bashkë me liderët e koalicionit VLEN, mbajti tubimin e fundit në Shkup në sheshin “Skënderbeu”.

Në fjalimin e tij, kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari theksoi se në tubimin e fundit në Shkup, vjen pas shumë takimeve dhe tubimeve anembanë vendit duke përfshirë edhe diasporën dhe se kanë dëgjuar nga afër problemet e qytetarëve me të cilat ballafaqohen tash e 22 vite.

“Po vijmë këtu pas shumë tubimeve dhe takimeve anembanë qyteteve dhe fshatrave të tjera të vendit, ku kemi parë dhe kemi prekur problemet e përditshme të njerëzve tanë. Varfëria dhe mungesa e punës, problemet në klinikat dhe spitalet, mungesa e investimeve dhe subvencioneve, këto janë fatkeqësisht realiteti i popullit tonë pas 22 viteve me qeveri të papërgjegjshme dhe të korruptuar. Po vijmë këtu, edhe pas tubimeve masive në diasporë, ku morëm mbështetje nga ata që ndihmojnë çdo ndryshim pozitiv, nga vëllezërit dhe motrat tona në mërgatë. Po vijmë këtu pas takimeve me Albin Kurtin dhe me shumë miq e vëllezër nga Kosova, të cilët maksimalisht po e përkrahin fitoren tonë. Shumë e madhe është nevoja për ndryshim. Jemi të vetëdijshëm se çfarë detyre na pret. Detyrë sa e rëndë aq edhe fisnike, prandaj dhe u bëmë bashkë që të gjithë si një ALEANCË, me një LËVIZJE të përbashkët, ta japim BESËN, e nën numrin 6 të ofrojmë një ALTERNATIVË që VLEN”, u shpreh Taravari.

Taravari u shpreh se është për një Maqedoni të Veriut e anëtarësuar në Bashkimin Evropian, me miqësi të përhershme me SHBA-të dhe se të veprimet e koalicionit VLEN do të jenë në përputhje të plotë me interesin strategjik të SHBA-ve.

“Si President i Republikës, zotohem se politika ime e jashtme do të jetë e bazuar në vlerat evropiane dhe properëndimore, me synim për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Këtë do ta arrijmë edhe me përkrahjen e aleatit tonë të përhershëm, pa ndihmën e të cilit nuk do të ishim këtu ku jemi sot – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ne miqësia me Amerikën është e shenjtë dhe Koalicioni VLEN është zotuar se çdo hap i yni në vijim, do të jetë në përputhje të plotë me interesin strategjik të SHBA-ve, pra një Maqedoni e Veriut e integruar në BE dhe larg ndikimeve ruse, një Maqedoni e Veriut e shëruar nga epidemia e korrupsionit si parakusht për zhvillim shoqëror dhe ekonomik. Si President i Republikës, zotohem se do të punoj me zell që Maqedonia e Veriut të jetë një shtet i sigurt dhe ta promovojë sigurinë dhe paqen rajonale. Do të kujdesem që të kemi aftësi kredibile mbrojtëse, si pjesë e obligimeve tona në NATO dhe BE”, u shpreh Taravari duke shtuar se do të luftojë ta kthejë besimin te sistemit i drejtësisë duke luftuar korrupsionin dhe do të mbrojë me gjithë qenien e tij demokracinë konsensuale, lirinë e shprehjes dhe sistemin e drejtësisë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share