“I vlerësoj mendimet e intelektualëve”
Kreu i ASH-së, Arben Taravari, për Klan Maqedoni deklaroi se i vlerëson mendimet e intelektualëve, por fjalën e fundit për rreshtimin e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare do ta kenë organet partiake.
Ky reagim i Taravarit, siç njofton KlanM, erdhi pasi një grup intetelektualësh shqiptar nga Maqedonia e Veriut përmes një letre të hapur, i kanë bërë thirrje Aleancës për Shqiptarët që të mos bëjë koalicion parazgjedhor me BDI-në.
“Çdoherë vendimet përfundimtare i marrim në organet partiake dhe këto vendime që sillen në organet partiake janë vendime definitive, të cilat duhet ti implementojë partia. Por gjithsesi e vlerësoj dhe e çmoj shumë çdo propozim dhe mendim që jepet prej çdokujt, posaçërisht prej intelektualëve”, tha kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Nga ASH-ja nuk kanë dilema. Do ta mbështesin Talat Xhaferin si Kryeministër Shqiptar, njëjtë sikurse vepruan me mbështetjen për Kryetar të Kuvendit.
“Përsëri tash, kjo është njëfarë simbolike, nuk është ndonjë funksionalitet realisht, apo premtimi i BDI-së ishte që 4 vite të jetë kryeministri shqiptar. Dhe atëherë e kemi thënë se i kanë 12 deputetët e ASH dhe AA bashkë, që ta zgjedhi kryeministrin bashkë. Edhe tash për 100 ditë kur është, për ne është shumë e rëndësishme si simbolikë. Kushdoqoftë ai që do të jetë, ne padyshim do ta përkrahim. Edhe mos të ishteTalati e të ishte dikush tjetër, ne përsëri do ta përkrahnim sepse kështu mendojmë dhe kështu rezonojmë”, deklaroi Taravari për KlanM.
Ndërkaq, në adresë të ASH-së, siç njofton KlanM, kanë mbërritur kritika të ashpra të adresuara nga VMRO-DPMNE-ja, që sipas tyre ASH-ja nuk është parti kohezive dhe se njëkohësisht aktron edhe pushtetin edhe opozitën. Sipas VMRO-DPMNE-së, ASH-ja nuk e lëshon vendin e opozitës në KSHZ, që të mos ketë përfaqësues të opozitës shqiptare në këshillat zgjedhore./KlanMacedonia