Taravari: Ideja e BDI-së jo serioze!

‘KJO IDE KRIJON HUTI DHE SKEPTICIZËM’

BDI-ja është e mençur kur është në opozitë, por ideja e tyre është jo serioze, kështu e komenton Kryetari i ASH-së, Arben Taravari propozimin e BDI-së për një platformë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në procesin e formimit të Qeverisë dhe legjitimitetit ndëretnik të Qeverisë, duke u bazuar tek modeli i Belgjikës dhe i Irlandës së Veriut. Taravari thotë se kjo ide është vështirë e realizueshme, pasi sipas tij, krijon huti dhe skepticizëm.

“BDI 22 vjet ka qenë në pushtet, në qeveri, asgjë prej kësaj që e thotë sot nuk e ka implementuar, as që i ka ra në mend. Tash që janë në opozitë për dy muaj, veç u kujtohen ide të ndryshme. Unë nuk jam kundër ideve, idetë janë të mira por 22 vjet duke qenë në pushtet nuk e ke menduar aspak decentralizimin që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, mos të flasim tash për rajonalizimin. Ne e kemi dhënë moti idetë për funksionimin më të mirë të shtetit në kuptim të decentralizimit fiskal dhe përsëri e kemi në program, këto tash kur janë në opozitë ju kujtohen ide që janë rëndë të realizueshme. Dëshiroj që të jenë opozitë sa më konstruktive dhe të japin ide që janë të implementueshme e jo ide të cilat krijojnë huti dhe skepticizëm” – tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Dr. Poll Viliams, i njohur si autor i Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001, eksluzivisht për Klan Maqedoni konfirmoi se bashkë me kompaninë e tij ligjore (Grupi Ligjor dhe i Politikës Ndërkombëtare Publike) dhe ekipin e juristëve ndërkombëtar, po punon për një propozim platformë mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në procesin e formimit të Qeverisë dhe legjitimitetit ndëretnik të Qeverisë. Nga VMRO-DPMNE u shprehen kundër kësaj platforme duke e quajtur  si tentativ boshe të Ahmetit. /tvklan.mk/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share