SHQIPTARËT NË RMV VAZHDOJNË TË DISKRIMINOHEN
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një intervistë për Top Chanel, duke folur për të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në RMV thotë se edhe pse rreth 30% e banorëve të Maqedonisë së Veriut i përkasin nacionalitetit shqiptar ata vazhdojnë të diskriminohen.
“Shkoni në lagjet e Shkupit, të banuara me maqedonas dhe do të shihni që është një qytet mbase ndër më të mirët në rajon. Nëse kaloni në zonat ku jetojnë shqiptarët, për shembull në Çair, Butel ise Saraj, do të shihni sikur jeni në një botë tjetër
Përkundër që gati gjysma e kabinetit qeveritar në Maqedoninë e Veriut përbëhet nga ministra shqiptarë, diskriminimi është i dukshëm. Për pozicione të caktuara është nonsens që shqiptarët të udhëheqin, si p.sh. Njësinë speciale të policisë, për shqiptarët është e pamundur të jenë anëtarë të atyre njësive, Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë është nonsens të jetë shqiptar, kryeministri është nonsens të jetë shqiptar, kryetari i shtetit as që diskutohet”, tha Arben Taravari.
Megjithatë, Taravari synon që me ndryshimet kushtetuese që do bëhen, të arrihen disa ndryshime në favor të shqiptarëve.
“Aleanca për Shqiptarët do të insistojë me këmbëngulesi që gjuha shqipe të definohet ashtu si duhet, jo si përqindje, por të jetë zyrtare, të jete gjuha shqipe dhe maqedonase, jo gjuha maqedonase dhe gjuha që flasin mbi 20%. Por, për të arritur deri te ndryshimet, duhet punë”, shton kreu i Aleancës Shqiptare.
Ai gjithashtu thekson se nevojitet një strategji dhe mbështetje nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, sipas tij, Shqipëria dhe Kosova e kanë për obligim që së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Shqipëri dhe në Kosovë të bëjnë një strategji që kurrë nuk e kanë bërë. Një strategji afatshkurte, afatmesme dhe afatgjate, për t’i sinkronizuar veprimet e shqiptarëve në rajon./KlanMacedonia