Tetë deputetët e Aleancës për Shqiptarët do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, me kusht që “20 përqindëshi”, që i referohet numrit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të fshihet nga Kushtetuta.
Qëndrimin e partisë politike opozitare e ka bërë të ditur nënkryetari i saj Arben Taravari në një konferencë për media në Gostivar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aktualitetin rreth ndryshimeve kushtetuese dhe propozimin për referendum të VMRO DPMNE-së.
“Situata aktuale politike është problematike dhe me sa shoh nuk ka gjasa që të sigurohen 80 vota. Si parti e kemi një kërkesë, pra plotësimin e një parakushti. Deputetët tanë nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk tërhiqet “20 për qind” nga kushtetuta në pjesën e realizimit të të drejtave të një komuniteti”, deklaroi Taravari.
I pyetur nëse fillimisht do të ketë zgjedhje të parakohshme apo do të zhvillohen para ndryshimeve kushtetuese, Taravari u përgjigj se zgjedhjet janë gjithnjë e më të sigurta, sepse për to nuk ka mbështetje prej 80 votave në parlament.
Lidhur me postin drejtues në parti, Taravari ka treguar se pas dy javësh kryesia qendrore do të mblidhet dhe do të vendosë se kush do të jetë ushtruesi i detyrës kryetar. Ai është një nga më të përmendurit si pasardhës i mundshëm i Ziadin Selës, por siç nënvizoi,kryetari i ardhshëm i ASH-së do të zgjidhet në kongres./MIA