NËSE I KENI 61 VOTA, NISNI INICIATIVË PËR SHPËRBËRJEN E KUVENDIT
Tema e madhe, dezinformata shumë. Shumë media online përcollën deklaratën e koordinatorit të Grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski i cili citohej të ketë thënë se deputetet e opozitës do të marrin pjesë në debatin për ndryshimet kushtetuese.
”Deputetet do të marrin pjesë në debat, ku edhe qartë do të argumentojnë kundër ndryshimeve kushtuese dhe shumë shpejtë do të bëhet e qartë edhe për pushtetin se nuk kanë shumicë” – tha Nikolla Micevski.
Por kjo doli që të jetë një lajm i rrejshëm. Micevski për Klan Maqedoni tha se nuk ka dhënë deklaratë për asnjë media dhe se këtë vendim duhet ta marrë partia të hënën në takimin e kryesisë. E nga ana tjetër afatet po rrjedhin. Seanca është caktuar, e Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë që ndryshimet kushtetuese nuk janë mision i pamundur, e nëse opozita mendon vetëm për zgjedhje të parakohshme le të dorëzon nismë për shpërbërjen e Kuvendit.
”Nëse qëllimi është zgjedhje të parakohshme edhe për këtë çështje ka procedura. Urdhëroni dorëzoni propozim për shpërbërjen e Kuvendit, nëse ka 61 vota le të shpërbëhet Kuvendi. Përse nuk po nisen kjo procedurë? Sepse me shumë gjasa nuk janë të sigurt se i kanë numrat. Prioriteti duhet të jetë ardhmëria e jo zgjedhjet” – deklaroi Xhaferi.
Kuvendi caktoi seancën e Komisionit për çështje kushtetuese më 25 korrik e seancën plenare më 18 gusht. /KlanMacedonia/