Takimi Xhaferi – Mishel: Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë mundësinë për anëtarësim në BE

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, realizoi takim me Kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

Në takim ishin të pranishëm zëvendësi i parë i kryetarit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kjo është vizita e parë e Xhaferit në Bruksel si Kryeministër dhe Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, e përgëzoi për funksionin e tij, duke theksuar se periudha e ardhshme është jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin, i cili duhet të zbatojë zgjedhje evropiane dhe të ruajë drejtimin evropian.

Në takim u shkëmbyen pikëpamjet për mbështetjen e Bashkimit Evropian në procesin e euro integrimeve të Maqedonisë së Veriut, si dhe për rrjedhën e proceseve reformuese në vend, të cilat janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për progresin.

Bashkëbiseduesit konstatuan se momenti i ripërtërirë i BE-së për zgjerim është i mirëseardhur dhe duhet të jetë një nxitje për zbatimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në Planin e rritjes të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Xhaferi në takim theksoi se perspektiva e BE-së mbetet shtytësi kryesor i ndryshimeve por edhe i pajtimit në rajon.

Bashkëbiseduesit në takim theksuan se Maqedonia e Veriut kultivon marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Vitin e kaluar, si vend kryesues me OSBE-në Maqedonia e Veriut konfirmoi se në vazhdimësi është partner i besueshëm i BE-së dhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Kryeministri Xhaferi falënderoi Kryetarin e Këshillit Evropian, Mishel, për mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share