“DY TEMA PËR DISKUTIM – INTEGRIMET EVROPIANE DHE RAPORTI ME FQINJTË”
Takimi i paralajmëruar i liderëve, midis kreut të LSDM-së dhe Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, do të mbahet të mërkurën në Klubin e Deputetëve, njofton KlanM.
Edhe pse paraprakisht Kryeministri përmendi se krahas liderëve në këtë takim do të marrin pjesë edhe ekipet e tij dhe të liderit të opozitës, megjithatë, në komunikatën e Qeverisë thuhet se do të ketë takim kokë më kokë Kovaçevski – Mickoski.
Kryeministri Kovaçevski, sic njofton KlanM, ka theksuar se në takim do të bisedohet për dy tema; miratimi i vendimeve për integrimet evropiane dhe raporti me fqinjtë, duke u shprehur i prerë se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në terminin e rregullt, bashkë me ato presidenciale në vitin 2024.
“Shpresoj se VMRO-DPMNE do të arrijë ta tejkalojë veten dhe të paktën një herë në këto 32 vite të pavarësisë së Maqedonisë do të mbështesin vendimin që do t`i mundësojë vendit, që pas integrimit në NATO, të integrohet edhe në BE. Konkluzionet janë të thjeshta – në njërën anë kemi integrimin e Maqedonisë së Veriut, kurse në anën tjetër – izolimin” – tha Kovaçevski.
Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE-ja. Kovaçevski të zgjedh – Ali Ahmeti dhe BDI-ja apo Maqedonia, thonë nga opozita, duke shtuar se në takimin e liderëve duhet të dalin konkluzione reale. Paraprakisht nga opozita, sic percjell KlanM, thonë se do të konsultohen me grupin parlamentar, me partitë e koalicionit dhe Komitetin Ekzekutiv të partisë.
“Kovaçevski të vijë në takimin e liderëve ku do të bisedohet se çfarë do të ndodh pas mosuksesit të ndryshimeve kushtetuese. Patjetër të ketë përgjegjësi për politikat e gabuara dhe udhëheqjen e shtetit në kundërshtim me qëndrimin e 80% të Maqedonasve” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Pas shqyrtimit të propozim-nismës për ndryshimet kushtetuese, Ministria e Drejtësisë nismën e ka dorëzuar për shqyrtim të mëtejshëm në Qeveri. Pas miratimit nga ana e Qeverisë, nisma për ndryshimin e Kushtetutës do të dorëzohet në Parlament, njofton KlanM.
Grupi i Punës për ndryshimet kushtetuese më 26 Maj miratoi propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, sipas së cilit, krahas Bullgarëve, në Preambulë duhet të futen edhe kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.
Pritet që ndryshimet kushtetuese, sic percjell KlanM, të dërgohen në Kuvend kah mesi i këtij muaji, por për miratimin e tyre është e domosdoshme shumica prej 2/3 ose së paku 80 deputetë. /KlanMacedonia/