Intensifikimi i aktiviteteve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti jashtë vendit për organizimin e tubimeve kur edhe po afron koha kur pritet të nis fushata zgjedhore po konsiderohet si keqpërdorim i buxhetit të shtetit.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se këto vizita pavarësisht që janë paraqitur si zyrtare më shumë kanë shërbyer si platforma për promovim elektoral të kryeministrit dhe të punëve të qeverisë.
“Është mëse e qartë që këto aktivitete janë zhvilluar me buxhetin publik pra nuk janë shfrytëzuar mjete që LVV merr nga buxheti i shtetit” – tha Eugen Cakolli.
Ai bashkë me shefen e diplomacisë, Donika Gërvalla, kritikohen se po keqpërdorin ambasadat të cilat janë duke shërbyer për ftesa dhe organizim të tubimeve.
“Ambasadat në profilet e tyre sikurse asnjëherë më parë kanë bërë ftesa dhe si e tillë përbën një formë të keqpërdorimit të resurseve publike e që i jep kryeministrit një avantazh të padrejtë ndaj partive tjera të cilat nuk e kanë një mundësi të tillë” – tha Cakolli.
Javën e kaluar PDK-ja nëpërmjet një konference për media kritikoi qeverinë e Kurtit për përdorimin e ambasadave dhe burimeve të shtetit për fushatë.
Por menjëherë pati reaguar ministrja Donika Gërvalla duke thënë se të gjithëve po u pengon “entuziazmi dhe ngrohtësia” me të cilat po pritet Kurti nga mërgata.