‘Syfyr i përgjakur’, 36 anëtarë të një familjeje u vranë në Gaza

36 anëtarë të së njëjtës familje u vranë në një sulm ajror në Nuseirat, mbrëmjen e së premtes.

Ky ishte një nga 60 sulmet vdekjeprurëse ajrore të raportuara gjatë natës nga zyra e shtypit të qeverisë së drejtuar nga Hamasi.

“Kjo është një natë e përgjakshme, një natë shumë e përgjakshme”, tha Salama Maarouf nga zyra e mediave qeveritare e Hamasit për agjencinë e lajmeve AFP, transmeton Klankosova.tv.

E zhvendosur nga bombardimet izraelite, familja Tabatibi u mblodh në Gaza qendrore për të ngrënë së bashku syfyrin, një skenë që shpejt u shndërrua në një gjakderdhje, shkruan The Guardian, duke iu referuar raportit të AFP-së.

19-vjeçari të cilit iu plagos dora e majtë, Mohammed al-Tabatibi, mes lotësh tregoi se çfarë i ndodhi familjes së tij.

“Kjo është nëna ime, ky është babai im, kjo është tezja ime dhe këta janë vëllezërit e mi. Ata bombarduan shtëpinë derisa ne ishim në të. Nëna dhe tezja ime po përgatisnin ushqimin e syfyrit. Të gjithë ranë martir”, tha ai.

Al-Tabatibi, foli ndërsa trupat ishin shpërndarë në oborrin e spitalit, më pas u grumbulluan në një kamion për t’u çuar në një varrezë.

Për shkak se nuk kishte mjaft çanta trupash, disa nga të vdekurit – duke përfshirë të paktën dy fëmijë – ishin mbështjellë me leckë të bardhë të njollosur me gjak, treguan pamjet e AFPTV.

Ministria e shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, e cila dha të njëjtin numër të vdekjeve, fajësoi Izraelin për sulmin në Nuseirat, ndërsa ushtria izraelite tha se po shqyrtonte incidentin.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share