Petkoviç: Armët në makinë u vendosën nga Prishtina
Qeveria e Prishtinës thotë se me kapjen e një makine të mbushur me armë rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit është shmangur një akt terrorist ndaj Kosovës. Në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se armët dhe municionet që u gjetën në makinën me targa të Beogradit do të përdoreshin për sulme ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Për Sveçlën pas kësaj tentative qëndron Beogradi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
“Kjo veturë është identifikuar si pronë e një ndërmarrje publike shtetërore të Serbisë. Saktësisht shoqëria aksionare e hekurudhave të Serbisë. E gjithë kjo është një dëshmi e radhës që presidenti serb përmes këtyre grupe po tenton destabilizimin e vendit tonë”, u shpreh ai.
Lidhur me këto pretendime reagoi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili tha se armatimet janë vendosur në makinë nga policia kosovare.
“Në këtë plan, pjesëtarët e policisë së Kosovës po transportojnë armë dhe municione ilegale, të cilat në periudhën paraprake ua kanë konfiskuar shtetasve të nacionalitetit serb dhe shqiptar, nga të gjitha nënstacionet e Policisë së Kosovës. Qëllimi i tyre është që t’i përdorin armët e përmendura për arrestime të reja të serbëve”, tha ai.
Pavarësisht këtyre pretendimeve ministri i Brendshëm i Kosovës paralajmëroi se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të shpallë terroriste, organizatat “Mbrojtja Civile”, dhe “Severna Brigada” që veprojnë në veri.
Tv Klan