Rreth gjysma e Kievit do te mbetet pa energji elektrike në ditët në vijim për shkak të bombardimeve në infrastrukture
Një dron ka goditur një aeroport në rajonin rus të Kurskut në kufi me Ukrainën, duke i vënë flakën një rezervuari të magazinimit të naftës.
Reuters shkruajnë se sulmi fatmirësisht nuk pati viktima dhe zjarri është vendosur nën kontroll. Ende mbetet i paqartë shkaqet e sulmit. Qyteti i Kurskut është rreth 100 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Rusia ka akuzuar më parë Ukrainën për kryerjen e sulmeve me dronë brenda territorit rus, përfshirë edhe sulmin në dy baza ajrore qindra milje nga Ukraina ku humbën jetën tre persona. I pyetur për sulmet, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleskiy Reznikov përsëriti një shaka të mëparshme se shpërthimet në bazat ruse ishin shkaktuar nga duhanpirësit e pakujdesshëm.
Ndërkaq Rusia akuzon Ukrainën për terrorizëm bërthamor mbi Zaporizhzhia pasi po bombardon në mënyrë të vazhdueshme centralin bërthamor të Zaporizhzhia, duke krijuar qëllimisht kërcënimin e një katastrofe të mundshme bërthamore. Ukraina mohon se ka bombarduar objektin, i cili ka qenë nën kontrollin e forcave ruse që në ditët e para të luftës dhe ka akuzuar Rusinë se ka qëlluar mbi të.
Pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës, miliona ukrainas kanë mbetur në terr. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nga këto sulme janë prekur shumë rajone dhe paralajmëroi gjithashtu se rreth gjysma e Kievit do të mbetet pa energji elektrike në ditët në vijim.
Inxhinierët kanë nisur punën për t’i riparuar linjat elektrike të goditura nga sulmet. Sulmet ajrore ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kanë lënë miliona ukrainas pa ngrohje, pa energji elektrike dhe ujë, në një kohë me temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Ekziston frika se një numër njerëzish mund të vdesin nga hipotermia. Një valë e tetë sulmesh ndaj infrastrukturës së Ukrainës, u ndërmor , pothuajse dy javë nga sulmi i fundit dhe natyrisht shkaktoi më pak dëme. Forcat ajrore të Ukrainës thonë se rrëzuan 60 nga rreth 70 raketa ruse.
Klan News