Sulmi me raketa nga Hamasi, Netanyahu: Jemi në luftë, armiku do ta paguajë shtrenjtë

“Jemi në luftë”, kështu është shprehur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në deklaratën e tij të parë të postuar në rrjetin social “X” në lidhje me sulmin me raketa të Hamasit kundër Izraelit.

Mëngjesin e sotëm militantët palestinezë në Rripin e Gazës lëshuan dhjetëra raketa në Izrael, duke vrarë të paktën 22 persona, sipas BBC, ndërsa flitet për qindra të plagosur.

Në videon e postuar në rrjetin social “X”, kryeministri izraelit u drejtohet qytetarëve të duke u thënë se “vendi është në luftë dhe jo në një situatë të tensionuar, as në operacion ushtarak”.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Hamasi nisi një sulm të papritur në tokat tona, ne jemi në luftë. Jemi në luftë dhe do të fitojmë. Armiku do të paguajë me një çmim të lartë, që nuk e ka parë më parë”, tha Netanyahu, ndërsa u kërkoi qytetarëve të respektojnë rregullat e sigurisë.

Gjatë ditës, Netanyahu do të zhvillojë një takim me zyrtarë të qeverisë për të vlerësuar situatën në vend.

Më herët, ministri i Mbrojtjes në Izrael, Yoav Gallad tha se “Hamasi bëri një gabim të madh që nisi një luftë kundër Izraelit”, ndërsa theksoi se Izraeli po lufton armikun.

Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) njoftoi se deri më tani rreth 2200 raketa janë lëshuar nga Rripi i Gazës në Izrael dhe se terroristët janë infiltruar në Izrael nga “deti, ajri dhe toka”.

Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, shpalli sot ( 7 Tetor) fillimin e operacionit “Al-Aksa Storm”, duke u bërë thirrje grupeve të armatosura në Liban që t’i bashkohen luftës kundër Izraelit.

Videot e postuara në mediat sociale treguan persona të armatosur palestinezë me uniformë brenda qytetit kufitar izraelit Sderot. Në Gaza pati breshëri raketash ndërsa banorët raportuan për përleshje të armatosura përgjatë gardhit ndarës me Izraelin, pranë qytetit jugor të Khan Younis.

Qindra banorë në Rripin e Gazës u larguan nga shtëpitë e tyre në pjesën verilindore të territorit palestinez. Gjithashtu edhe ushtria izraelite u ka bërë thirrje njerëzve që jetojnë pranë kufirit me Gazën, të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.

Kreu i opozitës izraelite, Yair Lapid ka deklaruar se në Izrael është shpallur gjendja e gatishmërisë së luftës.

Ushtria ka paralajmëruar se Hamasi do të paguajë një çmim shumë të rëndë. Pas sulmit të fundit, aeroportet lokale në Izraelin qendror dhe jugor, u mbyllën.

Sulmet e ndërsjella vijnë pas javësh tensionesh të shtuara përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën dhe luftimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

200 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite këtë vit. Tensionet janë përhapur edhe në Gaza, ku aktivistët e lidhur me Hamasin zhvilluan demonstrata të dhunshme përgjatë kufirit izraelit në javët e fundit të cilat u ndërprenë në fund të shtatorit pas ndërmjetësimit ndërkombëtar./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share