Sulmi me 2 suedezë të vrarë në Bruksel, policia qëllon autorin e dyshuar

Në lidhje me sulmin në Bruksel të Belgjikës ku 2 suedezë mbetën të vrarë, policia ka qëlluar një burrë që dyshohet se është autori i ngjarjes së rëndë.

Mediat lokale raportuan se ai u qëllua në një kafe në lagjen Schaerbeel të Brukselit. Prokurorët belgë konfirmuan të shtënat e policisë, por thanë se nuk mund të thonë ende me saktësi nëse personi i qëlluar nga policia, ishte sulmuesi.

Ndërkohë, Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verilinden tha se personi që është qëlluar ka gjasa të jetë i dyshuari i sulmit dhe mund të ketë ndërruar jetë rrrugës për në spital. Verilinden tha për “VRT” se atij iu gjet arma e zjarrit, e njëjta me atë me të cilën ishte kryer sulmi.

Kujtojmë se pas të shtënave në Bruksel, autori u largua nga vendi i ngjarjes. Hetuesit thanë se po e trajtojnë ngjarjen si terrorizëm. Kryeministri belg, teksa konfirmoi se viktimat ishin suedezë, njoftoi ngritjen në nivelet më të larta të kërcënimit terrorist.

Të shtënat ndodhën para takimit Belgjikë-Suedi që luhej mbrëmjen e djeshme, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Dy viktimat mbanin veshur fanellën e kombëtares, megjithatë nuk dihet nëse ata ishin nisur për të parë ndeshjen në stadium./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share