Sulmi kibernetik, Shqipëria ndërpret marrëdhëniet me Iranin

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet me Iranin. Vendimi u bë publik këtë të mërkurë (7 Shtator 2022) nga Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë sqaroi në një videomesazh se Republika Islamike e Iranit fshihet pas sulmit kibernetik në e-Albania.

“Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 Korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se vendimi i Këshillit të Ministrave i është bërë me dije me notë zyrtare Ambasadës së Iranit në vendin tonë dhe brenda 24 orësh kërkohet largimi i gjithë stafit të tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë. Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”, u shpreh Rama.

Mes grupeve të përfshira në sulm është edhe një ndër grupet më famëkeqe, shtoi Rama, të terrorizimit kibernetik ndërkombëtar që ka kryer sulme si autor apo bashkautor në Izrael, Arabi Saudite, Jordani, Emiratet e Bashkuara, Kuvajt dhe Qipro.

“Irani ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, u shpreh Rama.

Sa i përket sulmit kibernetik, Rama tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë dhe nuk u zhduk asnjë e dhënë.

“Në 15 Korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, u shpreh Rama./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share