Së paku nëntë ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës që kishte në shënjestër një autokolonë të forcave të sigurisë në Pakistanin veriperëndimor.
Sulmi u krye më 31 gusht nga një sulmues vetëvrasës që po udhëtonte me motoçikletë, tha në një komunikatë Agjencia për Marrëdhënie me Publikun e Pakistanit (AMPP).
Sulmi ndodhi në zonën Jani Khel të rrethinës Bannu, në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranë rrethit fisnor të Vaziristanit të Veriut në kufi me Afganistanin.
Askush s’e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani. Kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwaar-ul-Haq Kakar, e dënoi sulmin me bombë.
“Zemra më është thyer nga humbja e 9 ushtarëve trima në Divizionin Bannu, KPK, në një akt terrorist frikacak që plagosi shumë [të tjerë]. Aktet e tilla janë plotësisht të dënueshme“, tha Kakar në X, rrjetin e social të njohur më parë si Twitter.
Numri i sulmeve vetëvrasëse vdekjeprurëse ndaj forcave të sigurisë në dhe afër Vaziristanit të Veriut në vitin 2023 është duke u rritur. Vaziristani i Veriut shërbeu si bazë për kryengritësit derisa ushtria njoftoi vite më parë se e kishte pastruar rajonin nga militantët vendas dhe të huaj.
Një nga më vdekjeprurësit ishte një sulm vetëvrasës më 30 korrik, në një tubim politik të partisë Jamiat Ulema Islam-Fazl, ku u vranë më shumë se 50 njerëz në distriktin Bajur, një bastion i Tehrik-e Taliban, i njohur edhe si talibanët pakistanezë, një aleat i ngushtë i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët e Afganistanit. Grupi ekstremist Shteti Islamik-Khorasan (IS-K) e mori përgjegjësinë për këtë sulm.
Ka pasur protesta të shpeshta dhe thirrje të vazhdueshme ndaj Qeverisë për ofrimin e sigurisë në rajon.
Qeveria dhe ushtria kanë theksuar se kanë kryer operacione kundër militantëve dhe pretendojnë se ato kanë qenë të suksesshme në vitet e fundit./REL