Zëdhënësi i partisë së Erdogan: Prapa ISIS fshihen shtete të tjera

Në rangjet e larta të partisë së Presidentit turk Rexhep Taip Erdoan, besohet se sulmi me armë i 22 Marsit në Moskë me 143 viktima nuk ishte një akt i thjeshtë terrori.

Zëdhënësi i kësaj partie Omer Çelik është i bindur se sulmi është i organizuar nga shërbimet sekrete të vendeve të tjera.

“Pamë në video lëvizjet e tyre. Dukeshin shumë profesionistë. Kjo nuk bëhet pa përfshirjen e shërbimit inteligjent të një vendi apo të disa vendeve”.

Në një intervistë televizive, njeriu që i jep zë partisë së Erdoanit shkoi edhe më tej, duke hedhur dyshime se prapa organizatës terroriste Shteti Islamik, fshihen qëllime të errëta.

“E vërteta është që Daeshi nuk është në gjendje të ndërmarrë i vetëm gjithë këtë. Veprime të tilla sponsorizohen nga dikush. Kjo organizatë është ajo që duket, por e keqja e luftës së kësaj epoke është se askush nuk e shfaq fytyrën e vërtetë dhe fshihet pas maskave”.

Ankaraja zyrtare i shprehu mbështetje të plotë Rusisë, pas sulmit tragjik të së premtes, për të cilin u arrestuan 4 militantë të Shtetit Islamik.

Presidenti rus Vladimir Putin hodhi dyshime se akti mund të ishte organizuar nga Ukraina, çka u hodh poshtë nga qeveritë Perëndimore.

Tv Klan