Në Qendrën Nacionale për Përgjigje ndaj Incidenteve Kompjuterike në kuadër të Agjencisë për Komunikime Elektronike gjatë këtij viti janë paraqitur 155 incidente gjithsej, prej të cilave 12 janë më serioze, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë Jeton Akiku, drejtor i Agjencisë për Komunikime Elektronike në Maqedoninë e Veriut.
“Ky numër ka të bëjë vetëm me rastet që janë paraqitur në Qendrën Nacionale për Përgjigje ndaj Incidenteve Kompjuterike, por do theksuar se ky numër në realitet është më i madh, pra nuk është real, për shkak se sipas ligjit, institucionet – shtetërore dhe private nuk e kanë obligim ligjor që domosdo t’i paraqesin incidentet. Meqenëse nuk e kanë paraqitjen të obligueshme, një pjesë e tyre edhe nuk e bën paraqitjen”, thotë Akiku.
Për t’u bërë ballë sulmeve kibernetike’, Ministria e Shoqërisë Informative në Maqedoninë e Veriut kohë më parë paralajmëroi dhe themelimin e një agjencie për digjitalizim që do të ketë për detyrë koordinimin e sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet e vendit, por në këtë drejtim akoma asgjë konkrete nuk është bërë.
Ekspertët e Teknologjisë Informative thonë se formimi i një qendre që do të menaxhojë sistemin e mbrojtjes nga sulmet kibernetike është më se i domosdoshëm. Në të kundërtën, sipas tyre, jo vetëm se do të bllokohet funksionimi i institucioneve të vendit, por mund të ndodhë rrjedhje informacionesh duke dëmtuar seriozisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
“Zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me sulmet kibernetike, kërkon ekspertë të teknologjisë informative. Ky kuadër duket qartë se mungon në vend, dhe ai pak që është nuk dëshiron të angazhohet për shkak të pagave, të cilat janë të ulëta në sektorin publik kundrejt atyre që marrin në sektorin privat, ku kryesisht janë të angazhuar. Mungesa e investimeve në sigurinë kibernetike bën që ueb-faqet e institucioneve të Maqedonisë së Veriut të mbeten objektiv i lehtë për sulmuesit”, thotë Filip Simeonov, ekspert i sigurisë kibernetike.
Mungesë kuadri
Drejtor i Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), Jeton Akiku, pohon se mungon kuadri adekuat i ekspertëve të teknologjisë informative.
“Gjendja e sigurisë kibernetike në përgjithësi nuk është shumë e keqe, por nuk është shumë e mirë. Siguria kibernetike është një problem, me të cilin ballafaqohet e gjithë bota kohëve të fundit, jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e zhvilluara. Institucionet e shtetit, po edhe sektori privat, duhet të bëjnë investime serioze veçanërisht në resurset njerëzore, pasi besoj se problem në Maqedoninë e Veriut paraqet mungesa e resurseve njerëzore adekuate që mund të merren me sulmet kibernetike”, thotë ai.
Sulmet kibernetike ndaj institucioneve shtetërore u shpeshtuan pas fillimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, kanë konfirmuar nga Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës. Ata thonë se vendet e rajonit mund të presin sulme të këtilla edhe në të ardhmen.
Gjatë këtij viti, sulmet kibernetike për disa javë bllokuan sistemin shëndetësor, duke i lënë pa rroga punonjësit e shëndetësisë. Ndërsa, gjatë vitit të kaluar bujqit mbetën për disa muaj pa subvencione si rrjedhojë e sulmit kibernetik të ueb-faqes zyrtare të këtij dikasteri.
Edhe ueb faqja e Qeverisë është hakuar disa herë.
Cak i sulmeve kibernetike edhe Agjencia e Komunikimeve
Edhe Agjencia e Komunikimeve Elektronike në prill të këtij viti ishte cak i sulmeve kibernetike. Drejtori i këtij institucioni, Jeton Akiku, bën të ditur se hakerët kanë kërkuar një vlerë të caktuar për të zhbllokuar sistemin. Ai sqaron se nuk kanë rënë pre e shantazhit, por ekspertët e teknologjisë informative kanë arritur shpejt ta zgjidhin problemin që kanë shkaktuar hakerët.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme se sa sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore janë raportuar këtë vit në Departamentin e Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale dhe në sa raste nga ky dikaster është zbuluar se kush qëndron pas sulmeve kibernetike.
Mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti, nuk nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje.
As nga Prokuroria, deri në publikimin e tekstit, nuk janë përgjigjur në pyetjen e REL-it se sa është numri hetimeve të sulmeve kibernetike.
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se kambanë alarmi për vendin paraqet fakti se pjesa më e madhe e ueb-faqeve të institucioneve shtetërore dhe publike nuk disponojnë as me certifikatën bazë për sa i përket sigurisë kibernetike. Ndërkaq, qytetarët, për të realizuar shërbime të caktuara, vendosin në to të dhënat personale duke besuar se janë të mbrojtur./REL