Një sulmues vetëvrasës ka shpërthyer eksplozivët jashtë Ambasadës ruse në Kabul të Afganistanit.
Më 5 shtator, mediat lokale transmetuan pamje të ambulancave duke shkuar drejt vendit të ngjarjes.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se dy persona janë vrarë dhe 11 janë plagosur pasi një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët e tij teksa u qëllua nga rojet e Ambasadës.
Zyrtari policor Mawlawi Sabir u tha mediave se sulmuesi është qëlluar për vdekje.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti raportoi se një diplomat dhe një roje sigurie janë plagosur në këtë incident që ndodhi në kohën kur një radhë e gjatë e afganëve po prisnin për të marrë viza për në Rusi.
Kjo agjenci citoi mediat lokale të kenë raportuar se 15-20 persona janë vrarë ose plagosur.
Rusia është një prej shteteve të pakta që ka mbajtur të hapur Ambasadën e saj në Kabul, pasi talibanët morën pushtetin gushtin e vitit të kaluar. Komuniteti ndërkombëtar – përfshirë Rusinë – nuk njeh autoritetet de fakto talibane në Afganistan.
Talibanët morën kontrollin e shtetit pak pasi koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoq nga shteti dhe pak kohë më pas ra Qeveria paraprake./REL