Stuhitë katastrofike godasin Ballkanin

3 viktima në Greqi dhe Bullgari, uji “përpin“ automjetet

Pamje të frikshme si kjo, ku toka përpin një autobus janë filmuar në Volos të Greqisë, një nga qytetet e goditura më rëndë orët e fundit nga një stuhi e fuqishme e quajtur “Daniel”.



Një person humbi jetën pas shembjes së një muri në qytetin e Greqisë qendrore, pasi reshjet e dendura dhe përmbytjet shkaktuan rrëshqitje masive toke. Një tjetër rezulton i zhdukur. Vërshimi i ujërave në zonat bregdetare të qytetit mori me vete dhjetëra automjete, disa prej të cilave përfunduan në det.

Ujërat e përmbytjeve pushtuan pjesën më të madhe të qytetit, duke hyrë nëpër ndërtesa e duke shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor. Moti i keq përfshiu edhe Bullgarinë, teksa autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.

Dy persona mbetën të vrarë nga përmbytjet e shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm në komunën Tsarevo në rajonin e Detit të Zi, ndërsa 60 të tjerë u evakuuan.

Fenomene të ngjashme ekstreme të motit kanë pasuar valën e të nxehtit edhe në vende të tjera europiane, një tjetër sinjal alarmi për pasojat katastrofike të ndryshimeve klimatike. Shembull për këtë janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit me 3 viktima në Toledo të Spanjës që pasuan vapën përvëluese të Korrikut dhe Gushtit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share