Studentja e UT-së, Erjona Jonuzi shpallet volejbollistja më e mirë

Studentja e Fakultetit të Kulturës Fizike të UT-së Erjona Jonuzi shpallet volejbollistja më e mirë në “Silver League” në kategorinë e seniorëve, njoftojnë nga UT.

Studentja e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe ish-volejbollistja e skuadrës së femrave të Universitetit të Tetovës, Erjona Jonuzi ishte pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut, që konkurroi në “Silver League” në kategorinë e seniorëve. Edhe pse Maqedonia e Veriut u eliminua nga ky kompeticion, Erjona Jonuzi spikati me paraqitjet e saja mbresëlënëse, sidomos ndaj Letonisë, ku edhe u kurorëzua me çmimin volejbollistja më e mirë e ndeshjes.

Pas mbarimit të këtij aktiviteti sportiv, ajo u prit nga dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishi, bashkë me profesorët tjerë, të cilët e uruan për suksesin e arritur. Sipas dekanes, ky sukses është si rezultat i punës së palodhshme dhe sakrificës së saj, vullnetit dhe këmbëngulësisë. “Është e vetmja rrugë për t’i arritur majat e suksesit. Ky rezultat është gjithashtu një tregues i rëndësishëm se, profesorët e Fakultetit të Kulturës Fizike, punojnë me studentët e tyre, që ata të korrin suksese dhe t’i arrijnë objektivat e tyre në vijim të karrierës së tyre profesionale”, tha mes tjerash dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishi.

Erjona Jonuzi aktualisht i mbron ngjyrat e skuadrës “Rabotniçki”, por më parë ka luajtur edhe për klube me renome botërore, si “Ordu Telekom” dhe “Galatasaraj”, ndërsa fillimet e karrierës i pati me skuadrën e volejbollit të Universitetit të Tetovës.
Zyra për informim

Lexo gjithashtu
Total
0
Share