Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës, të udhëhequr nga Doc. Dr. Arben Halili, realizuan vizitë studimore në Bankën për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut – SHA Shkup, ku u pritën nga drejtori operativ Faruk Ismaili.
Qëllimi i kësaj vizite ishte, që studentët e vitit të dytë të Fakultetit Ekonomik, të drejtimit studimor Financa dhe Kontabilitet, në suaza të lëndës Banka dhe punët bankare, të njihen me funksionimin e një institucioni të rëndësishëm financiar siç është Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut, e cila në tregun bankar funksionon më ndryshe krahasuar me bankat e tjera komerciale.
Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën me rregullativën ligjore, fushëveprimin, si dhe mënyrën e organizimit të këtij institucioni. Për më tepër, njohja me formën e realizimit të kreditimit nga kjo bankë, normat e interesit, si dhe grupi i klientelës së targetuar, paraqesin një risi pozitive për studentët.
Nga ana e drejtorit Faruk Isamili u potencua rëndësia e realizimit të vizitave të këtilla dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, duke shërbyer si një urë lidhëse e përgatitjes së kuadrove të mirëfilltë për tregun e punës në të ardhmen.