Nis samiti i NATO-s, në fokus lufta në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk harroi t’i dërgojë një mesazh Prishtinës dhe Beogradit për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Para hyrjes në samitin e liderëve të 31 vendeve anëtare të aleancës në Vilnius, Stoltenberg iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si do i përgjigjet thirrjes së presidentit serb për takim.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Vuçiç dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të çtensionojnë dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”.
Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në NATO është një prej çështjeve kryesore të diskutimit në këtë samit. Duke qenë se konventat nuk e lejojnë anëtarësimin e një vendi në luftë, Stoltenberg bëri të ditur planin që do t’u prezantojë liderëve për të shkurtuar rrugën e anëtarësimit të Ukrainës që po përballet prej më shumë se një viti me sulmin rus. Plani parashikon anëtarësimin “de facto” të këtij vendi, përmes krijimit të një Këshilli Ukrainë – NATO që dy palët të kenë një bashkëveprim të plotë ushtarak.
“Është detyra jonë të bëjmë që Ukraina të fitojë, sepse po nuk fitoi si komb demokratik dhe i pavarur, nuk do të ketë arsye për të diskutuar për siguri apo hyrje në aleancë”.
I pranishëm mes liderëve të NATO-s është edhe Kryeministri Edi Rama. Mbrëmjen e të Hënës, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan hoqi dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Suedisë, pasi mori garanci nga Stokholmi për çështjen e militantëve kurdë dhe hapjen e rrugës së anëtarësimit në BE.
Tv Klan