ZYRTARËT UKRAINAS THONË SE MOSKA PO PËRGATITET PËR BETEJA MË TË RËNDA PËR KHERSON
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Ukrainë. Nga ana tjetër rajoni Kherson besohet të jetë vendi i “betejave më të rënda” të radhës.
Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për të përshkallëzuar më tej konfliktin në Ukrainë.
Kështu deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga bordi i aeroplanmbajtëses USS George HË Bush në të cilën ai ishte i ftuar.
“Sipas pretendimeve të rreme ruse, Ukraina po përgatitet të përdorë një ‘bombë të pistë’ radiologjike në territorin e saj. Aleatët e Natos i kundërshtojnë këto pretendime të rreme. Rusia shpesh akuzon të tjerët për atë që ajo vetë synon të bëjë. Ne e kemi parë këtë model edhe më herët. Nga Siria në Ukrainë”, deklaroi Jens Stoltenberg-shef i NATO-së.
Rusia përsëriti akuzat e saj se Ukraina po planifikon të shpërthejë një ‘bombë të pistë’ edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Lidhur me këtë cështje Stoltenberg theksoi dhe një herë tjetër se kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin janë të rrezikshme. Ndërkohë situata në vijat e frontit të luftës vijon të jetë shqetësuese.Forcat ruse po përgatiten për beteja më të rënda në rajonin strategjik të Khersonit, padyshim më i rëndësishmi krahasuar me rajonet e tjera të aneksuara në shtator shkruan Reuters. Forcat ruse në rajon janë tërhequr mbrapa javët e fundit dhe rrezikojnë të bllokohen në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
Autoritetet e instaluara nga Rusia kanë inkurajuar banorët të largohen, por Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, tha se nuk kishte asnjë shenjë se vetë forcat ruse po përgatiteshin të braktisnin qytetin por se do të zhvillohen beteja më të rënda për Kherson.
GAZETARE: XHUANA LIKA