THIRRJE PËR KOSOVËN DHE SERBINË
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia “të përmbahen nga gjuha dhe veprimet nxitëse që mund të përshkallëzojnë tensionet në rajon”.
Në një konferencë për media, ka thënë se zgjidhja është “dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
”Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor muajt e fundit. Mesazhi im është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të eskalojnë tutje tensionet në rajon. Kur vjen puna për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, dhe inkurajoj Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mirëbesim në dialog” – tha Stoltenberg.
Ndërkohë presidenti i ShBA-së , Joe Biden, e ka inkurajuar Serbinë të marrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën, teksa i ka përmendur se për normalizim të shpejtë duhet të përfshihen edhe kompromiset po që se është e nevojshme.
“Inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian” – tha Biden, president i SHBA-së.
Në letrën drejtuar presidentit serb Vuçiq, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, ai ka ka garantuar se SHBA-ja do të punojë ngushtë me Serbinë e Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog. /tvklan.mk/