Kampionati hapet me Milan – Udinese dhe Lecce – Inter
Serie A nis sot në orën 18:30 sezonin e ri me ndeshjen Milan – Udinese. Një start në periudhë të pazakontë për kampionatin italian, por i kushtëzuar nga Botërori që do të mbahet në muajt Nëntor-Dhjetor. Te kampionët e Italisë në fuqi janë të motivuar dhe duan ta nisin mbarë.
“Te lojtarët kam parë të njëjtin shpirt si sezonin e kaluar. Kemi punuar mirë dhe jemi gati. Me futbollistët e ardhur tani kam ndjesi të mirë që janë gati. Kam përshtypjen se bashkë me prurjet e fundit jemi të plotë dhe konkurrues”, u shpreh Stefano Pioli.
Inter e nis në orën 20:45 nga fusha e Lecce, kampione e Serie B sezonin e kaluar. Nuk do të kemi një debutim të Kristjan Asllanit si zikaltër, pasi Brozoviç është riaftësuar.
“Brozoviç është stërvitur rregullisht dhe do të jenë pjesë e ndeshjes. I vetmi që mungon është D’Ambrosio. Sa për merkaton kemi kthyer Lukaku dhe kemi afruar lojtarë të dobishëm si Mkhitaryan, Onana, Bellanova, Asllani, të cilët kanë cilësi”, u shpreh Simone Inzaghi.
Po sot do të luhen edhe takimet Sampdoria – Atalanta dhe Monza – Torino.
Tv Klan