Mjekut Arben Hudit, bashkëshortit të ish-deputetes Artina Qazimi nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, i është nderprerë kontrata e punës pa asnjë arsye profesionale, por siç thotë ai, për arsye politike nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Hudi në reagimin e tij shkruan se pavarësisht se Taravari ishte zotuar se të punësuarit me kontrata do të marrin vendime, kjo gjë nuk vlen për të.
Hudi shkruan se pavarësisht veprimeve hakmarrëse, drejtësia do të vijë për të dhe shumë kolegë që janë në të njejtën situatë.
Reagimi i plotë:
Këto ditë më njoftuan se më ndërpritet kontrata për punë në Spitalin Klinik të Tetovës. Këtë e kam peshqesh prej Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, pa ndonjë arsye konkrete profesionale, pa ndonjë shkelje në punë, pa ndonjë vërrejtje, por mbetet vetëm arsye politike.
Dua të rikujtoj paraprakisht se disa herë radhazi, vetë Taravari u zotua se të gjithë të punësuarit do të marrin vendime, por kjo nuk vlen për mua. Dua poashtu të potencoj se unë kam qenë i punësuar shumë vite më parë, falë kualifikimit tim profesional , kam punuar në COVID-19 ku sakrifikoja shëndetin tim dhe familijarëve te mi.
Për punën time vazhdimisht kam marë vlerësime pozitive nga të gjithë drejtuesit e deritanishëm të repartit dhe Spitalit Klinikë.
Presionet e këtilla të ulta, hakmarrja politike dhe revanshizmi i Taravarit, vetëm pse vazhdoj të qëndroj në Aleancën për Shqiptarët të drejtuar nga Ziadin Sela, nuk do të më lëkundin dhe nuk do të ndryshojnë bindjet e mia. Drejtësia do të vijë edhe për mua, por edhe për shumë kolegë të mi të cilët vazhdojnë të përballen me të njëjtën sfidë pas formimit të kësaj Qeverie. /tvklan.mk