LUFTA VAZHDON, GJENDJA MË E RËNDË NË MEDIAT LOKALE
Rreth 40 gazetarë lënë stilografat dhe përvjelën krahët, këtë herë për të dhuruar gjak. Në këtë mënyrë gazetarët e Maqedonisë së Veriut shënuan ditën ndërkombëtare të lirisë së mediave, njofton KlanM.
“Gjaku është ilaçi i vetëm që nuk mund ta bleni në barnatore. Ju gazetarët si një armë e fuqishme në shoqëri po dërgoni mesazhin tek të rinjtë që të dhurojnë gjak” – tha Suzana Tuneva Paunovska, kryqi i Kuq.
Përfaqësues të shoqatave sindikale të gazetarëve, sic percjell KlanM, njoftuan se dy të tretat e gazetarëve dhe punonjësve nëpër media marrin paga mesatare ose nën mesataren.
Lufta për përmirsimin e kushteve të gazetarëve vazhdon thanë njëzëri përfaqësuesit e organizatave të mediave.
“Punëtorët mediak tashmë sipas ligjit të ri kanë statusin e personave zyrtar. Kemi luftuar shumë për të arritur këtë dhe kjo shifet në raportin e fundit e “Reporterëve pa kufi”. Por gjithsesi nuk duhet të jemi të kënaqur nga raporti pasi që duhet të punojmë edhe më tej në përmirsimin e gjendjes së mediave. Nuk është esenca që vetëm të miratohen ligje, por ato duhet të zbatohen edhe në praktikë” – tha Mladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së.
Ambasadori i BE-së David Geer tha se BE vazhdon tw vëzhgojw dhe përkrah punën e mediave në vend, njofton KlanM.
“Puna e gazetarëve është shpesheherë e vështirë, gazetarët janë nën presion dhe kërcënime, gjuhë të urrejtjes veçanarisht në rrjetet sociale ku përhapen edhe lajmet e rreme. Bashkimi Evropian mbështet mediat në mënyra të ndryshme duke u ndihmuar në mënyrë financiare në shumë sfera” – tha David Geer, ambasador i BE-së.
Sipas regjistrit të Shoqatës së Gazetarëve, sic njofton KlanM, vitin e kaluar ishin evidentuar shtatë raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Një pjesë e tyre janë verbale, disa të tjerë përmes rrjeteve sociale por janë shënuar edhe sulme fizike.
Punonjësit e mediave në Shkurt të këtij viti, me ndryshimet në Kodin Penal, më në fund fituan atë që e prisnin vite me radhë – sulmet ndaj gazetarëve do të vlerësohen si sulme ndaj personit zyrtar. Kjo nënkupton edhe dënim me burg.
Ndërkaq, sic percjell KlanM, Prokuroria e Shkupit, ka emëruar Prokuroren Iskra Haxhivasileva si koordinatore për lëndët që lidhen me sigurinë e gazetarëve. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Arbana Qerimi