Ditë më parë, një skandal ka ndodhur në Aeroportin e Mynihut, ku këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bleta ‘Bebe’ Rexha, është kërcënuar nga një anëtar i sigurimit të aeroplanit, veç pse ajo i është drejtuar me pyetje në gjuhën shqipe.
Siç tregoi vet artistja në një video të publikuar në Instagram, ajo i ishte afruar sigurimit duke i folur në gjuhën e saj amtare (pasi kishte menduar se sigurimi ishte shqiptar), dhe me të dëgjuar atë të flas në shqip, ai e ka kërcënuar dhe më pas ka dashur ta largojë nga fluturimi.
Për të dhëna të mëtejshme, ‘Lufthansa’ ka sqaruar se këngëtarja ka hipur në fluturim normalisht dhe në kohë – duke arritur kështu të kthehet në shtëpi.
“Ekziston gjithmonë një kontroll paraprak sigurie për të gjithë pasagjerët që nisen për në ShBA dhe Kanada në Aeroportin e Mynihut, të kryer nga një kompani sigurie para se pasagjerët të mund të hyjnë në zonën e portës. Bebe Rexha duket se u mërzit me njërin nga këta punonjës të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e ‘Lufthansa’ për Telegrafin.
‘Lufthansa’ ka premtuar se do të kryejë një hetim të plotë për të kuptuar më mirë situatën dhe për të marrë masat e nevojshme për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë, mbetet të shihet se si do të zhvillohen hetimet dhe cilat do të jenë pasojat e këtij skandali. /Telegrafi/