Skandal me diplomat e falsifikuara në Malin e Zi

Në Mal të Zi me gjasa zhvillohet “kontrabandë” me dijen, qeveria po synon të veprojë. Në vend qarkullojnë afro 30 mijë diploma të falsfikuara, sipas të dhënave.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi ka vendosur që urgjentisht të ballafaqohet me problemin e diplomave të falsifikuara që prej muajsh është bërë një çështje shqetësuese për vendin. Ministrja Angjela Jakshiç Stojanoviç paralajmeroi ngritjen e një grupi punues pranë Ministrisë që do të merret me rishikimin e të gjitha diplomave të certifikuara. Ajo pranon se kjo do të jetë një punë e veshtirë, andaj thekson nevojën e një bashkëpunimi dhe koordinimi me organet e tjera, autoritetet gjyqësore dhe prokurorinë.

Kritika nga shoqatat civile

Nga ana tjetër përfaqësues nga Shoqata Civile Alternativa e Malit të Zi, sipas të cilëve, aktualisht janë 25.000 deri në 30.000 diploma të falsifikuara, mendojnë se aktivitetet e paralajmeruara nga ana e Ministrisë së Arsimit do të dështojnë. Zgjidhja e vetme thonë ata është ndryshimi i Ligjit për Pranimin e Diplomave. Gjatë këtij viti janë ngritur 27 kallëzime penale per falsifikim të diplomave, por siç thuhet, numri i tyre është shumë më i madh. Problemi më i madh sipas përfaqësuesve të sektorit civil mbeten diplomat e falsifikuara në sektorin e shëndetësisë, në arsim dhe në administratën publike.

Rasti në Institutin e Shëndetit Publik, ku zëvendësdrejtoresha për 11 vite ka punuar me diplomë të falsifikuar, ka tronditur thellë opinionin publik, ndërkohë që thuhet se diploma të falsifikuara kanë profesorë fakultetesh, politikanë dhe zyrtarë të lartë. Shoqata Civile Alternativa që është më e zëshmja në të gjithë këtë aktivitet thotë se këto diploma më së shumti vijnë nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Republika Srpska. Në të njëjtën kohë, njohës të situatave politike nuk përjashtojnë mundësinë se kjo kalon nëpërmjet ndonjë grupi kriminal të mirëorganizuar jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share