Moti i keq në pjesën veriore të Italisë ka detyruar autoritetet të vendosin alarmin e kuq edhe në rajone të tjera.
Disa lumenj dolën nga shtrati duke përmbytur shtëpi, biznese si dhe rrugë. Mbi 1500 njerëz janë evakuuar, ndërsa dy rezultojnë të zhdukur. Më kritike mbetet gjendja në Modigliana, disa zona të provincës së Bolonjës, Forlì dhe në Ravena.
Qarkullimi hekurudhor është ndërprerë në disa vende. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura në zonën e Ravenna, ndërsa në Forlì-Cesena do të ketë mbyllje të rrugëve.
Pas shiut të rrëmbyeshëm banorët e Ankonës në rajonin Marche kanë nisur të heqin baltën nga shtëpitë dhe oborret e tyre.
Përmbytjet goditën gjithashtu rajonet fqinje të Emilia-Romagna, ku departamenti kombëtar i zjarrit tha se kreu më shumë se 500 operacione shpëtimi me ndihmën e helikopterëve.
Emilia-Romagna është përfshirë edhe vitin e kaluar nga përmbytjet ku humbën jetën 17 persona dhe shkaktuan dëme në vlerë prej 8.5 miliardë Eurosh.
Klan News