Pas protestave dhe daljes publike të Sindikatës së të punësuarve në Shoqërinë Aksionare përgjegjëse për fluturimet civile “M-NAV”, kundër punësimeve partiake, situatë e tensionuar raportohet të ketë qenë pasditen e sotme në ambientet e këtij institucioni. Sipas raportimeve dhe denoncimeve në polici, persona nga jashtë kanë hyrë brenda institucionit dhe kanë sulmuar punonjësit e “M-NAV”, përcjell KlanM.
Qeveria e Maqedonisë dhe kryeministri Kovaçevski kanë marrë vendim që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, të propozojë shkarkimin e drejtuesve të këtij institucioni dhe të fillojnë hetime për punën e deritanishme në SHA “M-NAV”.
“Ju njoftojmë se me iniciativë të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në konsultim me Ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, dhe sipas situatës në M-NAV, në seancën e radhës të Qeverisë, të caktuar për të martën, 09.01.2024, do të propozohen dhe miratohen disa vendime për zgjidhjen e situatës ekzistuese: të shkarkohen të gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues, si dhe të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe bordit drejtues në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj. Në të njëjtën kohë, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski do t’i bëjë thirrje Prokurorisë Publike, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zyrës Shtetërore të Auditimit, Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare të kontrollit të trafikut ajror që të bëjnë një revizion të operacioneve të mëparshme të M-NAV”, thonë nga qeveria./KlanMacedonia