Situata në veri të Mitrovicës, SHBA dhe BE: Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara!

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht.

Mbi këtë urë, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë, me atë të Veriut të banuar me shumicë serbe, përveç makinave, është parë edhe një kordon i pjesëtarëve të KFOR-it.

Rritja e pranisë mbi këtë urë vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit.

JIM O`BRIEN – DIPLOMAT AMERIKAN

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

Edhe Bashkimi Evropian tha se është “i zhgënjyer” nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni i 30 gushtit, i ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri të Kosovës, “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”.

Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim “konkret dhe të qartë” për, siç tha, mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Vuçiq, sic ka publikuar na Instagram, u takua me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Pragë, ku po zhvillon punimet forumi i sigurisë, GLOBSEC.

Ndërkohë, teksa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për zbutjen e tensioneve, Policia e Kosovës njoftoi se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyen në afërsi të objektit ku më herët gjendej komuna që vepronte sipas sistemit të Serbisë.

Në njoftimin e policisë tha se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

“Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, tha Policia e Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share